
Kur dikush na jep një kompliment ne përgjigjemi në atë mënyrë që personi i cili na jep komplimentin të bëhet i dyshimtë se a është i sinqertë ose se a e di se çka është duke thënë. Për shembull kur dikush ju thotë se duket bukur ajo që keni veshur, ju përgjigjeni të befasuar me “kjo rrobë e vjetër?”, ose kur dikush ju jep një kompliment për projektin e kryer me sukses, ju përgjigjeni: “Nuk është kryer ashtu sikur që kam dashur”. Disa njerëz tjerë përgjigjen me arrogancë. Për shembull kur dikush thotë se i pëlqen ajo që keni veshur, ju përgjigjeni me “Po, e di. Unë kam shije të mirë. Nuk veshi gjithçka,” pra me komplimentin e dhuruar i mëshoni tjetrit.
Të dyja përgjigjet vërtetojnë se ju nuk e ndieni vetën mirë kur ju jep dikush një kompliment ose nuk ju intereson mendimi i të tjerëve.
Shumë njerëz kanë vështirësi për pranimin e komplimenteve sepse mendojnë se ata nuk i meritojnë fjalët e mira. Për shembull dikush ju jep një kompliment për një punë por ju mendoni se keni gabuar ose nuk e meritoni.
Në shumë raste pra gabojmë me reagimin tonë. Edhe nëse keni arsye të mendoni se ndoshta nuk duhet të pranoni atë kompliment, pranoje me nderim dhe thuaj: “faleminderit, kam punuar shumë që të realizohet ky projekt” ose “faleminderit që po të pëlqen ajo që kam veshur sot” dhe vazhdo më tutje.
Por ne shpesh nuk dëshirojmë që të pranojmë komplimentin e dhënë, sepse dyshojmë në sinqeritetin e personit i cili e dhuron komplimentin. Por këtu sinqeriteti nuk është problem i yni, por i dhuruesit. Nëse ai ose ajo nuk është i sinqertë është problem i tij apo i saj.
Edhe fëmijët duhet të mësojnë që të pranojnë komplimentin dhe ndiejnë vetën mirë që e meritojnë. Prindërit duhet të japin komplimente për punën e bërë mirë nga fëmijët, kur kanë pasur sukses në shkollë, ose thjeshtë kur kanë veshur diçka të mirë. Kështu mësohen ata të pranojnë komplimente dhe të mos befasohen kur marrin ato nga të tjerët ose të dyshojnë në sinqeritetin e dhënësit.