
Pse e tradhtojmë atdheun? Pse e mashtrojmë shokun? Pse e mashtrojmë punëdhënësin e ndershëm i cili na paguan rrogën? Pse e tradhtojmë besimin tonë? Pse e shkëmbejmë identitetin tonë për një tjetër më të përshtatshëm në atë moment? Pse i tradhtojmë gjërat të cilat na bëjnë kush jemi dhe na dallojnë nga shtazët e egra dhe primitive?
Sepse familja jonë na ka mësuar kështu. Shokët dhe shoqet na kanë mësuar kështu. Mësuesi në shkollë na ka mësuar kështu. Sistemi i shtetit na ka mësuar kështu. Sepse kjo thjeshtë në fjalorin tonë quhet: Mbijetesë.
Si fëmijë na ka thënë prindërit gjithmonë se është më mirë ta mbyllim gojën se sa të ballafaqohemi me zemërimin e anëtarëve tjerë më të mëdhenj me trup ose më të fortë fizikisht në familje - edhe atëherë kur kemi pasur të drejtë.
Si shoqëri jemi mësuar që të mos i kundërshtojmë vrasjet e panevojshme të njerëzve të pafajshëm, sepse na është thënë se kjo duhet në emër të qëllimit të partisë politike në pushtet në atë moment dhe kështu vrasja nuk është krim.
Në mbledhje na kanë thënë ta mbullim gojën, se tjetri është zgjedhur me vota për të vendosur për ne të paaftët. Si kemi ne guxim ta kundërshtojmë mendimin e tij?! I pa fe! I çmendur! Irredentist! Seperatist! Nacionalist! Kapitalist! Mbylle në burg! Mos e lejo të bisedoj me të tjerët! Mos e lejo të punësohet askund. Gjuaje me gurë! Kallja shtëpinë!
Si pjesëtar i një familje jemi mësuar se duhet të punojmë për inat të fqinjëve. Se askujt nuk duhet t'i ndihmojmë pa interes ose pa pagesë. Se kështu mendon "hallku" se jemi të çmendur dhe tallet me ne si njeri, me ne si familje.
Kështu, pak nga pak e kemi dorëzuar një pjesë të identitetit dhe jetojmë të huaj në shtetin tonë. Ne vazhdojmë bartjen e maskës së gdhendur për ne nga të tjerët, të cilët jemi mësuar t'i konsiderojmë si më të fortë dhe më të mençur se ne.