Kontrolli në internet
- Mos harroni se punëdhënësi e gjen gjithë historinë tuaj në ueb dhe nuk ju thërret kurrë për vend të lirë pune, edhe nëse e keni ndryshuar sjelljen tuaj të keqe
- Mos harroni se kur kërkoni regjistrimin në shkollë ose klub, kandidatët analizohen së pari nga arkivi i uebit
- Mos harroni se shumë shërbime janë falas sepse shoqëritë komerciale e shesin informatën tuaj personale
Mënyra se si shkruani
- Mos shkruani me gabime shqip, se kjo është pasqyra e gjithë kombit shqiptar
- Mos shkruani vetëm me germa të mëdha. Në internet kjo konsiderohet sharje.
- Shkruani qartë temën e mesazhit (subject) kur i shkruani dikujt me e-postë (e-mail). Nëse teksti i temës nuk ka të bëjë asgjë me përmbajtjen e mesazhit pranuesi nuk e di se për çka është fjala dhe ndoshta nuk e lexon. Në shumë raste kur tema nuk i përshtatet përmbajtjes disa programe të mbrojtjes nga viruset e shlyejnë vetëvetiu mesazhin, para se pranuesi ta sheh.
- Mos shkruani gjëra fyese për personin në forume, ose në sajtet ku mund të dërgohen komente.
- Mos përgjigjeni në mesazhe kërcënuese. Mos reagoni fare. Edhe nëse mendoni se e njihni personin.
- Mos ju kërcënoni tjetrit, se policia (ose mafia) mund të ju gjej juve në shtëpi, por edhe nëse jeni në kafene të internetit sigurisht ju ka parë dikush në kohën kur keni përdorur kompjuterin aty. Identiteti i përdoruesit të internetit mund të gjendet shumë lehtë.
Fëmijë, ju lutemi shumë që të keni kujdes kur e përdorni internetin!
- Nëse jeni me moshë rinore, gjithmonë pyetni një të rritur nëse ju brengos përmbajtja e sajtit të cilin e shihni. Pyetnii në shtëpi prindërit, në shkollë mësuesin, dhe në kafene të internetit kujdestarin. Sa i përket kafenesë së internetit ju nuk duhet të shkoni aty fare. Kafeneja nuk është vend për fëmijë, por vetëm për të rritur.
- Nëse jeni të moshës rinore, ju lutem shumë, kurrë mos e caktoni një takim me personin me të cilin keni biseduar në linjë (online), pa ju treguar prindërve. Personi nga interneti mund të jetë kriminel i moshuar dhe vrasës, edhe pse mund të thotë se është i moshës suaj. Mos harroni se edhe me video kamerë mund të manipulohet. Për shembull ju mendoni se e shihni një djalë të ri apo vajzë të re prapa kamerës, por ndoshta ai është film i incizuar. Shumë fëmijë kanë humbur jetën se janë mashtruar kështu, sidomos në shtetet ku ligji nuk punon si duhet dhe udhëheqja kujdeset vetëm për vetëveten.
Shumë njerëz gabojnë duke menduar se shokët në internet janë njësoj sikur shokët në të vërtetë. Këta i vendosin fotografitë e tyre personale në klube të ndryshme, i mbledhin shokët dhe shoqet tjerë aty dhe e shkëmbejnë informatë për vetën dhe të tjerët sikur me shokët e tyre të vërtetë.
Shoku në internet është sikur shoku nga imagjinata. Ai nuk ekziston në të vërtetë. Disa të rinjë nga Drinasi i kanë pesëqind shokë në klubin e tyre elektronik. Ku ka njeri në botë i cili i ka pesëqind shokë? A ka burrë i cili mund t'i ketë pesqind dashnore? Vetëm se e ka emrin e tyre në librin e tij të adresave kjo nuk i bën ato dashnore të tij.
Këshillë për mbushje të hapësirës së zbrazët për shokë dhe shoqe
Gjeni një shok ose shoqe, më shumti dy a tre. Më shumë kohë nuk keni në këtë botë për miqësi të vërtetë. Mos luani me shokun lojëra me kompjuter. Lexoni një libër së bashku. Shetituni pastaj në natyrë disa orë dhe bisedoni për librin e lexuar. Analizoni jetën tuaj dhe qëllimin e jetës në përgjithësi. Merruni vesh se si të bëni diçka të mirë në këtë botë. Pastaj e gjithë bota ju do juve sikur të ju kishin shokë të ngushtë. Sa herë që ju shohin ju njohin. Shoku nga interneti nuk ju flet në rrugë kur ju sheh dhe ndoshta nuk ju njeh fare.
Nëse mendoni se nuk kam të drejtë, provoni këtë disa ditë. Do të çuditeni pastaj sa mirë e ndieni vetën.