Drinas

Shkolla pa provime

Çka është shkolla?

Fjala shkollë ka prejardhjen nga fjala greke ‘σχολή’ (/skʰo.lɛ̌ː/) Në përkthim shqip do të thotë kjo fjalë “kohë e lirë”. Në Athinën e vjetër shkolla ishte vend ku nxënësit shkonin të diskutonin me mësues, në “kohën e tyre të lirë”.

Në fjalorin e gjuhës shqipe sqarohet fjala shkollë kështu:

  1. Institucion arsimor ku mëson dhe edukohet në mënyrë të organizuar brezi i ri.
  2. Burim mësimesh e njohurish, veprimtari gjatë së cilës njeriu fiton përvojë të pasur dhe edukohet.
  3. Drejtim i caktuar në fushën e shkencës, të artit, të letërsisë etj.

Në asnjë fjalor nuk sqarohet shkolla si institucion ku nxënësi mëson për dhënien e provimeve dhe marrjen e diplomës. Por pyete secilin nxënës se për çka mëson ai në shkollë dhe menjëherë e dëgjon përgjigjen se mëson për dhënien e provimit dhe marrjen e diplomës. As gjumi nuk i merr natën para provimeve.

Sa çmenduri është kjo në këtë botë moderne! Studenti duhet të mësoj për dituri në praktikë, e jo për vlerësim me provime në teori.

Historia e provimeve

Provimet janë përdorur për herë të parë në Kinën e lashtë. Qëllimi i provimeve ishte atëherë zgjedhja e kandidatit më të përshtatshëm për pozitë në qeveri. Pas 1300 viteve Kina vendos që të mos përdoren provimet askund, sepse vërteton se ato nuk janë mjet i efektshëm për matjen e aftësisë së dikujt.

Shumë vite më vonë Britania e Madhe e kopjon këtë sistem të Kinës dhe e vë atë në përdorim për të njëjtin qëllim, për zgjedhjen e kandidatit më të përshtatshëm për funksion në qeveri. Pas një kohe fillojnë edhe disa universitete me provime për studentë. Dalëngadalë përhapet kjo edhe në shkollat tjera.

Vlerësimi i diturisë me provim

Me provim nuk mund të vlerësohet dituria e nxënësit. Vlerësimi është gjithmonë subjektiv, për shumë arsye. Ja rezultatet e disa hulumtimeve të bëra:

  • I njëjti mësues i jep studentit notë tjetër në mëngjes e një notë tjetër nëse e vlerëson të njëjtin provim në fund të ditës.
  • Dy mësues të të njëjtës shkollë dhe të të njëjtës lëndë, e vlerësojnë provimin e njëjtë ndryshe nga njëri tjetri.
  • Kur mësuesi e njeh nxënësin e vlerëson provimin duke u bazuar në mendimin e tij nga e kaluara.
  • Kur nxënësi në fillim të provimit ka bërë shumë gabime, mësuesi i jep atij notë më të ulët edhe nëse përgjigjet tjera janë në rregull.
  • Nëse nxënësi i ka notat tjera të ulëta në shkollë, mësuesi ja jep gjithmonë atij notë më të ulët për lëndën e tij, edhe nëse provimi është në rregull.
  • Nëse nxënësi nuk ka sjellje të mirë gjatë mësimit, gjithmonë mësuesi ja jep atij notë më të ulët.

Natyrisht se tek ne ‘shqipet’ ka edhe raste tjera ku mësuesi e vlerëson provimin varësisht se djali apo vajza e kujt e ka bërë atë. Në shumë mbledhje të shkollave diskutohet se cili nxënës duhet të kaloj klasën e cili jo duke u bazuar në interesin personal. Mësuesit vihen nën presion për ta ndryshuar notën. Sa marrëzi!

Është e ditur se për të vlerësuar provimin objektivisht duhet që të mos e shikosh emrin e nxënësit gjatë vlerësimit të provimit dhe që t’i vlerësosh përgjigjet nga të gjitha provimet e studentëve një nga një.

Por, edhe nëse provimi vlerësohet objektivisht, kush vlerësohet: nxënësi, mësuesi apo shkolla? A ke dëgjuar ti ndonjëherë se një mësues kërkohet të jep përgjegjësi për nota të ulëta të nxënësve? Jo, se kjo nuk mund të vërtetohet. Mësuesi nuk i ka fajet gjithmonë dhe as shkolla, por rrethanat e nxënësit. Për këtë arsye provimet nuk kanë asnjë vlerë dhe nuk duhet të përdoren më. Në Finlandë nxënësit nuk kanë asnjë provim deri në moshën e tyre gjashtëmbëdhjetë vjeçare.

Përkrahje sipas nivelit të diturisë deri sa të mësoj nxënësi. Provimi është humbje kohe.

Koha e cila përdoret për provime mund të përdoret për dhënie të mësimit dhe përkrahje të nxënësit. As detyra të shtëpisë nuk ka nevojë që të bëj nxënësi. Nëse nxënësi ka nevojë të mësoj më tepër le të rrijë në shkollë me arsimtarin. Edhe në mbrëmje apo vikend nëse ka nevojë. Arsimtari nuk duhet të frikohet se duhet të punoj më gjatë se orari i tij i punës. Nëse shkolla organizohet si duhet mësuesi nuk ka nevojë të punoj më gjatë se katër orë në ditë. Fakt është se kur mësuesi punon më gjatë se katër orë ai nuk jep mësim si duhet. Në shumë vende të zhvilluara është e ndaluar me ligj që mësuesi të punoj me gjatë se katër orë, sepse cilësia e dhënies së mësimit nuk është në nivel të duhur.

Disa mësues autoritar pohojnë se nëse nxënësi nuk mëson për provim ai nuk bën asgjë në shkollë, por vetëm luan me shokët e tij. Po le të luaj, pse jo. Shumë shkolla moderne japin mësim me lojëra. Nxënësi ndihet më mirë kur luan dhe mëson më lehtë.

Eksperimenti me mësim klasik dhe provim

Bëre këtë eksperiment. Vendosi njëzet e pesë arsimtarë nga shkolla të ndryshme që të ndjekin disa mësime në një klasë vetëm dy a tre ditë, hiq më tepër. Thuaju se duhet të mësojnë për provim në javën që vjen. Shiko se çka ndodh!

Do të vëresh se as gjysma nuk vinë fare, e ata që vinë nuk do jenë në gjendje ta kalojnë provimin. E pse pritet kjo nga fëmijët?

Lidhje në internet:

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *