Drinas

Virusi i korrupsionit

Në të gjitha viset shqiptare është korrupsioni problem shumë serioz në këtë moment. Për këtë nuk ke nevojë që të bësh një hulumtim profesional. Edhe fëmijët e shkollës fillore e dinë këtë. Për fat të keq as studentët në universitete dhe as profesorët e tyre nuk e kanë gjithmonë të qartë se sa dëm të madh bën korrupsioni, përndryshe do ta luftonin këtë virus shkatërrues me inteligjencën e tyre.

Korrupsioni është kancer: një kancer që ushqehet nga besimi i qytetarit për demokraci, ai e zvogëlon instinktin për inovacion dhe kreativitet. Ai e humb talentin e gjeneratave të tëra. Ai i frikëson investimet dhe vendet e punës.

Joe Biden

Shfaqja e virusit të korrupsionit në vendin tonë nuk është diçka e re. Është fakt i njohur se korrupsioni është njëra nga pengesat kryesore me të cilin përballen vendet postkomuniste në përpjekjet për të konsoliduar institucionet demokratike dhe ekonomitë e hapura të tregut (Shleifer, 1997).

Korrupsioni e gërryen themelin e demokracisë, sepse individët e korruptuar gjithmonë do të kërkojnë të minojnë sundimin e ligjit për të mbrojtur interesat e veta, të familjes së tyre dhe të bashkëpunëtorëve të tyre.

Pasi që mbrohen interesat personale të disa individëve, njerëzit me dituri të mirë nuk kanë mundësi që të punojnë në vende ku mund të përdoret ekspertiza e tyre. Nëse shoqëria nuk i vendos njerëzit në vende pune sipas diturisë profesionale, ajo nuk mund të ketë përparim, por vetëm izolim.

Korrupsioni e dëmton shëndetin

Mjedisi ku jetojnë njerëzit ndotet sepse askush nuk ka frikë se dënohet për dëmin e bërë. Mbeturinat hidhen gjithkund, fabrikat i gjuajnë helmet në natyrë dhe ujë të pijes, malet me lisa shkatërrohen për të prerë drutë, zogjtë ngordhin se nuk ka male, fushat helmohen me mjete kimike, fabrikat lokale nuk kanë mundësi që të prodhojnë ushqim të freskët, por importohet ushqim i konservuar i fabrikave të huaja larg.

Korrupsioni e rrit numrin e sëmundjeve, sepse mjekët kujdesen për përfitim personal, jo për shërimin e pacientit. Ata nuk kujdesen për të mirën e pacientit, sepse nuk marrin rrogë sikur që e merr punëtori në fabrikë ose mësuesi në shkollë, por paguhen me para në dorë nga pacientët dhe nga prodhuesit e ilaçeve. Edhe nëse mjekët kanë etikë të mjaftueshme për të bërë punën e tyre me nder, ata janë të detyruar të plaçkitin kuletën e pacientit për të paguar për organet e korruptuara.

Në shtetet e korruptuara vetëm një pjesë e vogël e popullsisë ka sigurim mjekësor. Pjesa më e madhe e popullsisë paguan me para në dorë për mjekun dhe për ilaçet që ju përshkruhen. Sigurimi shëndetësor në shtetet demokratike kujdeset që fabrikantët dhe mjeku të mos fitojnë nga pacienti, por e kontrollojnë cilësinë e ilaçeve dhe të çmimit në treg, sepse këta paguajnë vetë për shpenzimet e pacientit.

Korrupsioni e dëmton arsimin

Në arsim kanë mundësi që të shkollohen vetëm fëmijët e atyre në pozita të larta në pushtet. Shkollat nuk kujdesen për cilësi, sepse inspektorati është i korruptuar. Në shtet të korruptuar janë inspektorët e arsimit shokë e shoqe të njerëzve në pushtet. Nuk zgjidhen ata sipas meritës, por për të siguruar pushtetin e ministrave të korruptuar. Studentët mësojnë shpejtë se korrupsioni mund të ju siguroj atyre një të ardhme më të mirë me diplomën e tyre të blerë, dhe jo me vlerën e diturisë së tyre.

Korrupsioni e dëmton ekonominë

Korrupsioni është dhënia e ryshfetit, dhe ky ryshfet është i dëmshëm për ekonominë. Sipas Gray dhe Kaufman (1998) “ryshfeti rrit shpenzimet e transaksioneve dhe pasigurinë në një ekonomi; ryshfeti çon në rezultate joefikase ekonomike. Ai pengon investimet afatgjata të huaja dhe vendase, shpërndan talentet në aktivitetet e kërkimit të qirasë dhe shtrembëron prioritetet sektoriale dhe zgjedhjet e teknologjisë … fut kompanitë në nëntokë, nënvlerëson aftësinë e shtetit për të siguruar mallra publike, duke përfshirë edhe sundimin e ligjit … ryshfeti mund të rezultojë një rreth vicioz të rritjes së korrupsionit dhe aktivitetit ekonomik nëntokësor … korrupsioni minon legjitimitetin e shtetit. ”

Ballesteros (2011) thotë se aty ku korrupsioni shton koston e biznesit, ai gjithashtu e shtrembëron fushën e hetimit dhe veprimit, duke mbrojtur firmat të lidhura me njëra tjetrën nga konkurrenca dhe duke mbështetur kështu firmat joefikase.

Kush e kontrollon ekonominë në shtetet e korruptuara?

Në shtetet e korruptuara kontrollohet ekonomia nga ministrat në pushtet për të mbrojtur interesat personale. Kjo do të thotë se nuk vlen cilësia e prodhimeve në treg, por çmimi i cili paguhet për të siguruar pozitën e ndërmarrjeve të ministrave në atë treg. Ministrat në shumë raste janë ose pronarë të ndërmarrjeve ose kanë kontroll të plotë të drejtorisë së ndërmarrjeve. Këta ministra i pengojnë ndërmarrjet e vogla që të konkurrojnë në treg duke i ndryshuar ligjet e shtetit.

Kur bëhen fushata për zgjedhje ministrat e korruptuar fitojnë lehtë, sepse kanë kontroll të plotë të fabrikave, restoranteve, pompave të benzinës, hoteleve, dyqaneve, shkollave, policisë e ushtrisë. Duke u frikuar se e humbin vendin e punës punëmarrësit vazhdojnë të votojnë për këta ministra nga frika se largohen nga puna.

A është vështirë të luftohet korrupsioni

Korrupsioni është virus i keq, por nuk është vështirë të luftohet. Vetëm një grup i vogël i njerëzve ka mundësi që të bëj një ndryshim të madh.

Korrupsioni nuk ka nevojë që të luftohet me forca të armatosura. Mjafton angazhimi intelektual dhe investimi në edukim.

Korrupsioni mund të luftohet nëse atyre që vjedhin ju ndalohet që ta mbajnë pasurinë e vjedhur. Hajdutëve duhet:  a) të ju ndalohet që t’i pastrojnë paratë e vjedhura; b) të ju ndalohet që t’i investojnë paratë e vjedhura jashtë shtetit; c) të ju ndalohet që të bashkëpunojnë me ndërmarrje të huaja.

Ajo që gjithashtu ndihmon për luftimin e korrupsionit është që të formohen ndërmarrje jofitimprurëse shtetërore të cilat e regjistrojnë pasurinë e ndërmarrjeve dhe personave. Nëse ekziston frika se këto ndërmarrje mund të infektohen gjithashtu me korrupsion, mund të përdoren organizata të shteteve të huaja. Vetëm disa punëtorë mjaftojnë për këtë shërbim.

Shërbimi tatimor plotësisht i ri ose i huaj

Shërbimi tatimor mund të luaj një rol të madh të luftimit të korrupsionit, duke detyruar firmat që të paguajnë tatim sipas fitimit. Pushteti i korruptuar i vendos njerëzit e korruptuar në këto pozita, prandaj është mirë që shërbimi tatimor të bëhet nga një organizatë e huaj – sikur që ka bërë Uganda dhe Peru në luftën kundër korrupsionit.

Rekrutimi e njerëzve në pozita të bëhet sipas meritës

Rauch dhe Evans (1997) kanë mbledhur informatë rreth faktorëve që ndikojnë në korrupsionin në 35 shtete në zhvillim. Sipas tyre sa më i ulët që është rekrutimi dhe promovimi sipas meritës aq më i lartë është niveli i korrupsionit. Për këtë arsye është mirë që njerëzit të zgjidhen në pozita sipas meritës. Gazetaria mund të luaj një rol të madh këtu duke publikuar emrat e atyre që janë zgjedhur pa meritë në pozita vendimmarrëse.

Rrogat e organeve kontrolluese

Rritja e rrogës për organet kontrolluese kundër korrupsionit mund të ndihmoj shumë. Lindbeck (1998) thotë se korrupsioni i ulët në Suedi në këtë shekull është bërë i mundshëm pjesërisht për faktin se në fillim të shekullit, administratorët e nivelit të lartë fitonin 12 deri 15 herë më shumë rrogë se një punëtor mesatar industrial. Nëse kontrolluesit e pasurisë fitojnë mjaftë ata nuk kanë nevojë më për ryshfet.

Burimet nga literatura

Gray, C. W., & Kaufman, D. (1998). Corruption and development.

Lindbeck, Assar, 1998,“Swedish Lessons for Post-Socialist Countries”) unpublished; Stockholm: University of Stockholm Institute for International Economic Studies

Luis Flores Ballesteros,“Corruption and development. Does the “rule of law” factor weigh more than we think?” Archived 2016-01-02 at the Wayback Machine. 54 Pesos (November 15, 2008). Retrieved April 12, 2011

Rauch, James E., and Peter B. Evans, 1997, “Bureaucratic Structure and Bureaucratic Performance in Less Developed Countries” (unpublished: San Diego, California and Berkeley, California; University of California at San Diego and University of California at Berkeley)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *